Kurti nderon dëshmorët e kombit në Gjakovë
Lexohet për: 2 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Në kujtim dhe në nderim të sakrificës dhe të gjakut të derdhur për liri, kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe sot te varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës. I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të  Kosovës, kryeministri Kurti takoi familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë. Kurti tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit, ku janë 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. “Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë. Vrasjet e fëmijëve, pleqve, grave, burrave, rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha Kurti.

Ai shprehu mirënjohje familjeve që po qëndrojnë të fortë dhe mbajnë lart krenarinë e popullit shqiptar, i cili në fund doli fitimtar dhe synon rrugën e integrimeve euro-atlantike. "Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë," tha Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024