Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se duke nderuar njerëzit me autizëm nderohet diversiteti.
I pari i ekzuekutivit këto komente i bëri në ngjarjen e organizuar nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit.
“Sot, pra e nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm. Duhet t’i nderojmë çdo ditë me angazhimin dhe ndërveprimin tonë që t'u ofrojmë mbështetjen dhe kujdesin që u nevojitet, t’ua përmirësojmë cilësinë e jetës. Për të jetuar të pavarur, duke qenë bashkëpjesëmarrës në shoqëri. Për të shtuar ndjenjën e përkatësisë, për jetë me dinjitet edhe me plot mundësi”, ka thënë Kurti.
Kurti theksoi se ndërgjegjësimin në rritje duhet përkthyer në rritje të veprimit dhe të punës së përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. E kjo sipas tij, bëhet duke filluar nga ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe të ndërhyrjes së hershme.
Vitin 2022 Qeveria e Kosovës ua ka kushtuar personave me nevoja të veçanta.
Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për të punuar bashkë me institucionet dhe organizatat partnere.
Kryeministri veçoi “Javën e Diversitetit”, që së shpejti do të organizojnë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere, ku fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre në garën e vizatimit.
Gjatë këtij viti do të punësohen 100 asistentë në të gjitha komunat e Kosovës, për mbështetjen profesionale të fëmijëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve me autizëm.