Kurti mirëpriti ambasadorin e ri britanik Jonathan Hargreaves
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takimin e parë zyrtar pas dorëzimit të kredencialeve, ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, të cilin e uroi për detyrën e re duke i uruar sukses.
Kurti ka përmendur rolin e rëndësishëm të cilin e ka luajtur Britania e Madhe në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe lidhjet e forta mes dy popujve tanë.
Ai po ashtu e falënderoi diplomatin britanik për kontributin e Britanisë së Madhe për sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s dhe nënvizoi rëndësinë e vizitës së sekretarit të Punëve të Jashtme, David Cameron në Kosovë në fillim të këtij viti dhe mesazhet e qarta për sigurinë dhe paqen.
Duke folur për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e avancimit drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, NATO dhe BE, si dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim.