Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se përpjekja e Serbisë për ta fshehur krimin po e forcon edhe më shumë lidhjen e Beogradit zyrtar me autorët e krimeve serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të punojë më shumë në ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Në Pastasel të Rahovecit, kryeministri Kurti ka përkujtuar 106 civilë të paarmatosur shqiptarë nga forcat serbe 25 vjet më parë. “Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe kryheshin me urdhër të shtetit të Serbisë. “Adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë,” ka thënë Kurti.