Kurti: Marrëdhëniet e shkëlqyera me Gjermaninë t'i thellojmë edhe më tej
Kryeministri Albin Kurti deklaroi me rastin e "Natës verore të bashkëpunimit gjerman për zhvillim", se marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Gjermani nuk nxiten vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga lidhjet e palëkundura kulturore dhe historitë familjare.
Ai tha se bashkëpunimi gjerman për Zhvillim jo vetëm që përfaqëson interesat e qeverisë gjermane në Kosovë, por edhe dëshirën e mbi 400 mijë pjesëtarëve të mërgatës në Gjermani për ta parë Kosovën si pjesë integrale të komunitetit evropian.
“Ne kemi arritur shumë si shoqëri falë partnerëve tanë gjermanë dhe ka shumë për t'u pritur për zhvillim dhe bashkëpunim. Më pak se dy javë më parë patëm një vizitë historike të kancelarit gjerman Scholz në Prishtinë. Përveç temave të rëndësishme rajonale, ne theksuam edhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe, të cilat duam t'i thellojmë ato me projekte të përbashkëta”, tha Kurti.
Për më tepër, Kurti tha se Gjermaninë dhe Kosovën i bashkojnë të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë dhe paqësore.
Kjo mbrëmje u organizua nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, së bashku me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Banka Gjermane për Zhvillim.