Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se aktivisht po lobojnë që Kosova ta ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet dhe proceset e organizatës së kombeve të bashkuara për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, duke shtuar se nuk do të ndalen së lobuari për drejtësi klimatike.
Kurti konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë” ka theksuar se e Kosova qëndron krahas shteteve partnere evropiane në përpilimin e zbatimit e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave përmes të cilave në thelb synohet tranzicioni i drejtë ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme.
Për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave, Kurti ka thënë se kanë siguruar 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania. Ai ka potencuar se aktualisht, janë në një fazë të hershme të krijimit të sistemit të ndarjes në bazë dhe ndërtimin e qendrave të riciklimit.
Mes tjerash, Kurti ka shtuar se trajtimi i ujërave të ndotura në nivel vendi është rritur nga 1% sa ishte kur e filluam mandatin para diç më shumë se dy vitesh, në 11%. Ai ka thënë se synohet që në 5 vitet e ardhshme të kenë 7 kryeqendra me impiante.
Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se BE është e gatshme për të përkrahur Kosovën që të ketë zhvillim të qëndrueshëm.
Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde është shprehur se Kosova është ngritur në nivel më të lartë, duke iu afruar standardeve të Evropës.
Rohde ka nënvizuar se duhet qëndruar së bashku të përkushtuar dhe të ruhen bukuritë natyrore dhe pasuritë e Kosovës.
E, drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi ka thënë se Kosova ndër vite ka shënuar progres në këtë drejtim.