Ento-nacionalizmi si formë e ekstremizmit të së djathtës së skajshme po përhapet në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të vendit dhe po paraqet kërcënim serioz. Nxitës i kësaj forme të ekstremizmi është edhe Rusia me dezinformatat e saj.
Kështu thotë raporti “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-masat”, i cili u publikua në konferencën rajonale të organizuar nga Sbunker me mbështetje nga Ambasada e Mbretësisë së Holandës në Kosovë.
Bakija thotë se ekstremizmi i së djathtës së skajshme po përhapet me shpejtësi të pabesueshme në Kosovë.
“Për një kohë të gjatë ekstremizmi në Kosovë është kornizuar si çështje e sigurisë me fokus tek radikalizimi fetar, ndërkohë ekstremizmi i të djathtës, etno-nacionalizmi dhe lëvizjet anti-gjinore janë lënë anash si brenga margjinale. Raporti që do të prezantojmë sot e sfidon këtë pikëvështrim. Kosova mund të mos ketë pasur mobilizim të këtillë të së djathtës së skajshme si vendet tjera evropiane, por narrativat sidomos në mediet sociale janë duke u përhapur me një shpejtësi të pabesueshme. Këto nuk janë vetëm idetë abstrakte, mbi ato ndikojnë në diskursin publik, formësojnë debatet tona publike dhe krijojnë mjedisin në të cilat gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi bëhen të normalizuara. Dhe tani po e shohim edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore. Ajo se çka shquhet në këtë hulumtim është se si këto narrativa ndikojnë të rinjtë dhe që nga bullizimi në internet që shënjëstrojnë pakicat, gratë dhe LGBTIQ+ tek përdorimi i platformave të tilla për të përhapur përmbajtje mizogjene. Ndikimi është real dhe ekstremizmi ngulitet brenda kulturës së përditshme”, thotë Bakija.Ai shtoi se në rajon ka kthim të gjuhës dhe atmosferës të viteve 90’ta.
“Duket se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një tërheqje të madhe për këto ideologji. Disa raporte ndërkombëtare të viteve të fundit kanë ngritur shqetësimin që demokracia, të drejtat e njeriut, realiteti dhe diversiteti i mendimeve, lirit bazike janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferës së viteve 90’ta që u paraprinë luftërave në ish-Jugusllavinë. Ka ngritje të retorikës nacionliste dhe populliste dhe ngecje të proceseve si drejtësia tranzicionale. Mungesa e rezultateve lënë hapësirë dhe boshllëqe që mund mund të keqpërdoren nga grupet ekstreme që ushqejnë ndjenjën e hakmarrjes, padrejtësisë dhe drejtpërdrejtë ndikojnë në ngritjen e ideologjive ekstreme”, theksoi Bokshi.
“Pajtimi midis komuniteteve nuk është vetëm imperativ moral, por një gurthemel i sigurisë dhe stabilitetit edhe pse pajtimi kërkon shumë më shumë sesa vetëm fjalë, kërkon veprim, mirëkuptim dhe guxim për tu ballafaquar me gjëra të vështira. Ky projekt thekson angazhimin civil për të përafruar njerëzit, për të ndërtuar ura e jo mure dhe besojmë që është çelës për të ardhmen e Kosovës... Po aq vitale është puna që po bëhet në parandalim të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm këto kërcënime nuk njohin kufi dhe ato cenojnë vetë pëlhurën dhe indin e shoqërive tona. Qasja me paralajmërim të hershëm që sillet me këtë projekt është edhe inovatore dhe esenciale. Me angazhimin e palëve të interesit në nivel bazë dhe duke bashkëpunuar me institucionet ne ndërtojmë reziliencën e nevojshme për ta ndalur dhe ballafaquar me këto kërcënimet. Një prej aspekteve më të rëndësishme të këtij projekti është produkti fundor një platformë interneti që do t’i identifikoj trendet, ideologjitë më të rëndësishme, kërcënimet më të rëndësishme duke ofruar masa praktike dhe pako veglash për tu ballafaquar e luftuar ekstemizmin”, theksoi ai.
Hulumtuesja dhe autorja e këtij raporti, Adelina Hasani theksoi se ekstremizmi i së djathtës së skajshme po përhapet në Kosovë dhe shprehet në dy grupe në mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovë.
“Ekstremizmat e së djathtës po ashtu përhapen në Kosovë. Në Kosovë si e kuptojmë ento-nacionalizmin shprehet në dy grupe shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe kjo është e kuptueshme normalisht për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe trashëgimitë të konfliktit të dhunshëm të viteve 1998-99 që ka vazhduar të dominojnë diskursin politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, duke penguar pastaj mundësinë e pajtimit dhe ecjes përpara. Mungesë e trajtimit me drejtësinë tanzicionale, por edhe dështim për ta adresuar mizoritë e së kaluarës është bërë kjo. Këto narrativa në shumë raste manipulohen nga grupet e ndryshme dhe i ushqejnë këto ideologji radikale dhe duke parë këtë kjo e thellon përqasjen midis dy grupeve”, theksoi Hasani.
Raporti thotë se edhe fushata dezinformuese e Rusisë po “hedh benzinë “ në konfliktin ento-nacionalizmin mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Grupet etno-nacionaliste edhe në pjesën veriore të Kosovës që kanë organizuar një sulm terrorist dhe e dimë që për aktin terrorist ‘Banjska’ dhe pastaj në ‘Ibër-Lepenc’ si sulm i fundit terrorist dhe këto sulme nuk janë vetëm kundër institucioneve të Kosovës apo sovranitet të Kosovës, por ato rrezikojnë edhe sigurinë e vetë serbëve që jetojnë sidomos në pjesën veriore të Kosovës. E dimë po ashtu si dy organizata janë shpallur si subjekte terroriste nga autoritetet e Kosovës. Pastaj, këtu ajo që i hedh benzinë gjithë këtij konflikti etno-nacionalizmit janë edhe fushatat dezinformuese që do të vijojnë nga Rusia... Këto fushata nga Rusia u japin zë edhe nga mediat e Serbisë por edhe platforma të ndryshme që kanë rol kritik në ngritjen e etno-nacionalizmit dhe pastaj edhe tek shqiptarët. Nga Rusia ka përpjekje për të tërhequr paralele midis pakicës serbe me veri të Kosovës dhe pastaj pakicës sulmuese që jeton në Donbask, por pastaj janë edhe këto narrativat tjerë që ka synim për dënim të serbëve nga veriu, rrit kërcënimin dhe frikën e komunitetit serb dhe pastaj u jepen zë këtyre narrative etno-nacialiste ”, theksoi ajo.
“Një prej formave që e kemi identifikuar si formë e ekstremizmit e që ka nuancën e të djathtës gjinore, narrativat anti-gjinore nuk po them se nuk ka pas në të kaluarën, por tashmë i shohim shumë shpesh edhe në subjektet politike e kemi atë që quhen narrativa anti-gjinore që i kemi identifikuar marrin forma të ndryshme, por shumë shpesh ata sulmojnë apo kundërshtojnë martesat në mes gjinisë së njëjtë, dhe protestojnë kundër abortit apo cila është ideja themelore e këtyre narrativave anti-gjinore”, thotë raporti.
“Ekstemizmi fetar shprehet më ndryshe me nivelin ideologjik, janë shumë të sofistikuar nuk dalin në hapësira publike, sepse institucionet e sigurisë janë shumë të fortë ndaj këtyre, pra ideologjia shprehet në familje dhe në grupe më të vogla. Ajo që shohim si kërcënim megjithatë është ndaj vlerave demokratike dhe gjithë shoqërisë. Sepse shohim se këto narrativa në shumë raste referohen ideologjive fetare. Ajo që është brengosëse po ashtu është se këta narrativa që vijnë nga ekstremizma të ndryshëm përpiqen ta portretizojnë demokracinë si të korruptuar”, theksoi Hasani.
Konferenca rajonale e cila organizohet në kuadër të projektit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-masat” do të vazhdoj diskutimet me panelin e dytë e cila për temë ka “E djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor: ndikimet rajonale dhe ndërlidhjet transnacionale”.