Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro për vitin 2023, është bërë e ditur sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, kathënë se përmes Ligjit të Pagave kanë synuar të arrijnë të barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerë, si dhe mbështetje solide për mjekët, arsimtarët, policët dhe ushtarakëve.
“Pas këtij procesi voluminoz dhe shumë kompleks është mbërritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105 euro. Ndërsa në janar të vitit 2024, sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve do të jetë 110 euro. Me këtë ndryshim-plotësim i ligjit të buxhetit i hapet rrugë sistemit të ri të pagave prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri dhe vlera të reja të kompensimeve ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve. Po ashtu në shërbimin civil të Kosovës janë mbështetur më së shumti ata që kanë qenë në fund të tabelës. Punëtorët dhe teknikët kudo në administratën tonë do të ketë trajtimin dinjitoz dhe të drejtë. E reja e këtij sistemi përveç vlerave që ka sjell në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publik është se për çdo vit do të vlerësohen mundësinë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficienteve sipas atyre mundësive. Pra pas kësaj nuk do të ketë stagnim të pagave të zyrtarëve pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, apo punës dhe rezultateve që kemi të gjithë bashkë në rritjen ekonomike të vendit”, është shprehur ai.
Krahas kësaj, Kurti ka paralajmëruar se shumë shpejtë në Kuvend do të miratohet në lexim të dytë Projektligji për pagën minimale.
Në anën tjetër, pas miratimit të Projektligjit për ndarjet buxhetore që i hap rrugë rritjes së pagave, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se përmes këtij ligji paga mesatare bruto në Kosovë do të jetë 730 euro.
Ai, po ashtu ka thënë se buxheti për paga këtë vit do të jetë 745 milionë euro, rrjedhimisht 105 milionë euro më shumë se viti paraprak.
Ligji për paga në sektorin publik është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës./E.Zeqiri/