Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot se para 24 vitesh, forcat e armatosura të Serbisë kanë vrarë mbi 120 shqiptarë civilë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.
Ai është duke u shprehur se sistemi i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe për dënim të kriminelëve të luftës.
“Sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre. Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen. Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpërlarje kriminelësh.”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Fcaebook.
Ai ka shtuar se gjaku i të rënëve për liri nuk humbet. “Kujtimi për ta është i përjetshëm.”, ka shkruar tutje Kurti.
Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.
Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur. Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë./KosovaPress