Kurti kujton dëbimin e banorëve shqiptarë të Prishtinës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 1 prillin e vitit 1999, kur njësitë policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nisën dëbimin e banorëve shqiptarë të Prishtinës dhe deportimin e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe të Republikës së Shqipërisë.
Kurti ka shkruar në Facebook, e shkrepur pikërisht atë ditë në stacionin e trenave në Prishtinë, nga fotoreporteri i Reuters, Goran Tomašević, fotografia e parë tregon popullsinë shqiptare të dëbuar të Prishtinës duke i hipur nëpër trena.
“Autoritetet serbe i kishin përgatitur këta trena për udhëtime njëdrejtimëshe, me të cilët do të boshatisej Prishtina nga popullsia e saj vendase shqiptare. Po atë ditë, më 1 prill 1999, fotografi Eric Feferberg ka fiksuar në një fotografi karvanin e gjatë të refugjatëve shqiptarë që pasi janë zbritur nga trenat, po ecnin nëpër binarët e hekurudhës, nën urdhërat e policisë serbe që i kishte dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Mijëra shqiptarë do të kalonin ditë dhe netë të tëra në fshatin kufitar Bllacë, duke pritur për të kaluar kufirin dhe për t’u strehuar në Maqedoni, në kampe refugjatësh ose në familje shqiptarësh. E datës 1 prill 1999, është edhe kjo fotografi e bërë nga Roger Lemoyne në Bllacë. Siç shihet në të, mijëra njerëz të ngjeshur në një hapësirë të vogël në natyrë të hapur, prisnin të kalonin kufirin teksa qëndronin nën tenda të improvizuara najloni, mes rreziqesh të shumta nga policia serbe, uria, mungesa totale e kushteve higjienike e mjekësore si dhe rreziku i shpërthimit të epidemive. Përveçse me trena, më 1 prill 1999, një pjesë e mirë e banorëve të Prishtinës u dëbuan edhe me makinat e tyre private. Ata udhëzoheshin nga policët serbë që falas të furnizoheshin me karburante vetëm aq litra sa nevojiteshin për të arritur deri në kufi me Shqipërinë, ku policia serbe ua konfiskonte dokumentet e identifikimit, për t’i zhveshur nga identiteti civil dhe shkëputur nga argumenti ligjor administrativ i origjinës së tyre. Ato ditë, konkretisht më 3 prill 1999, Joel Robine ka shkrepur një fotografi ku shihet një kolonë refugjatësh shqiptarë të dëbuar nga Kosova, që sapo kanë kaluar kufirin dhe janë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Operacioni për dëbimin e shqiptarëve nga Prishtina i nisur më 1 prill 1999, po zhvillohej në kuadër të fazës së tretë të planit “Patkoi”, të hartuar nga Serbia për spastrimin etnik të Kosovës nga popullsia autoktone shqiptare. Disa ditë më pas, më 9 prill 1999, Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Scharping, e demaskoi publikisht planin e koduar “Patkoi”, siç e ka rrëfyer më pas edhe në librin e tij: “Ëir dürfen nicht ëegsehen. Der Kosovo Krieg und Europa”. Pamjet dhe dëshmitë e shumta të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre si dhe vrasjet e masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, e kishin nxitur aleancën e NATO-s që të ndërmerrte një fushatë bombardimesh ajrore mbi Jugosllavi, deri në çlirimin e Kosovës në qershor 1999. Ajo ishte një ndërhyrje e kërkuar dhe e mirëseardhur në ndihmë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës dhe populli i saj nuk harron asnjëherë dhe nuk falë askë.
“E vërteta e luftës së Kosovës është e dëshmuar nga faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë siç edhe është hulumtuar dhe studiuar brenda dhe jashtë Kosovës. Shteti i Kosovës do të kujdeset që historia dhe trashëgimia e luftës së Kosovës, të studiohet për njohje dhe të adresohet për kujtesën kolektive. Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë, ashtu siç Serbia duhet mbajtur përgjegjëse para drejtësisë ndërkombëtare dhe para historisë, për shkaktimin e luftës në Kosovë dhe për të gjitha vrasjet e masakrat, spastrimin etnik dhe veprimet e kryera gjenocidale, shkatërrimet dhe plaçkitjet, si dhe dëmet e të gjitha pasojat e luftës në Kosovë”, ka shkruar ai.