Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga Serbia. Sipas kreut qeveritar, meqenëse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo po kërkon të pengojë përparimin e tërë Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
Kurti në konferencën “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, kërkoi nga Bashkimi Evropian që ndaj Serbisë të përdorë qasje të njëjtë sikurse ndaj Rusisë.
Kurti shtoi se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, sponsorizoi terroristë dhe se vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit.
Në anën tjetër, nikoqiri i kësaj konference, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për Kosovën termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm, pasi vet liria dhe shtet-ndërtimi kanë ardhur nga koordinimi trans-atlantik.
Ndërkaq, drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovë, Peter Hurrelbrink, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor, por edhe bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi, por kjo kërkon një numër të madh reformash.
Në kuadër të paneleve diskutuese, ishte edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili tha se është shumë e vështirë të flitet për bashkëpunim ekonomik në rajon, pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik.
Konferenca “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, ka vazhduar punimet gjatë së hënës edhe me panele të tjera./E.Zeqiri/