Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar ndihmën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s derisa të bëhet anëtare e plotë e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.
Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum.?
Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e SHBA-së për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, tha kryeministri Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.
Duke folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, Kurti tha se në Silicon Valley takoi shumë ndërmarrës, të cilëve u shpjegoi që Kosova është vend i përshtatshëm për investime.
Ai ftoi biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për vendin tonë.
Kryeministri Kurti përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovën e pas luftës, me vlerë 236 milionë dollarë dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.