Dështon takimi për të pagjeturit në Bruksel me fajin e Serbisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dështon takimi për të pagjeturit në Bruksel me fajin e Serbisë
Foto Arkivë
1 javë më parë
Linku u kopjua

Takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel nuk është mbajtur sot për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë.

Edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve, kryetari i komisionit për të pagjeturit Andin Hoti ka njoftuar se arsyetimi i Serbisë për mos pjesëmarrje në takim është banal dhe i dëmshëm.

“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë ka marrë njoftimin nga Miroslav Lajçak se do të raportohet konstruktiviteti i palës kosovare dhe kërkesat e saj te vendet anëtare të BE-së.

Hoti ka thënë se vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira.

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq ka qenë i pranishëm sot në Bruksel, dhe Andin Hoti thotë se prania e Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dështimin e takimit, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025