Kurti: Kosova plotëson kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Lexohet për: 2 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në kohën e paralajmërimeve për bllokim të votimit nga disa vende evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë. Në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës, kryeministri Kurti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë nënkupton forcën e demokracisë dhe sundimin e ligjit. “Sot, 75 vjet më parë, u themelua Këshilli i Evropës organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një vend që plotëson kriteret për t’u bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët ndaj të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka paralajmëruar dje  se disa shtete evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përgatiten ta bllokojnë votimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka shtuar se një bllokim i tillë vjen pas fushatës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Deputeti i Bundestagut Knut Abraham ka thënë se Komiteti i Ministrave duhet ta pranojë Kosovën në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje për Kosovën - ose duhet të veprohet në vlerat dhe standardet evropiane që Kosova të pranohet ose të injorohet vlerësimi i detajuar i deritanishëm nga raportuesit, komisionet dhe Asambleja Parlamentare. Asambleja Parlamentare më 16 prill rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në KiE. Çështja do të vendoset përfundimisht nga ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës në mesin e muajit maj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024