Kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në konferencën për publikimin e raportit mbi pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë, “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, aktivitet i përbashkët i shoqatave të grave “Medica Gjakova” dhe “Medica Mondiale”.
Studimi dokumenton pasojat afatgjata psikike, fizike dhe sociale të dhunës seksuale të luftës, duke filluar nga çrregullimet e stresit post-traumatik dhe depresionit, dhimbja e kokës deri te mosbesimi dhe rritja e frikës, duke formësuar kështu jetën e atyre që janë prekur edhe 25 vjet pas përvojës së dhunës.
Kurti tha se në Kosovë, gjatë viteve 1998 – 1999, dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia.
“Një mjet lufte që ka lënë pasoja të thella e të gjëra, tek individi, familja dhe mbarë populli e shoqëria, andaj, edhe na përket të gjithëve adresimi i këtyre krimeve të luftës, që të mund të ndërpremë efektin shkatërrues të kësaj arme në shoqëri”, tha ai.
Kurti shtoi se Kosova qëndron në krah të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, e përkushtuar për mbështetje institucionale, për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës ka Strategji për Drejtësi Tranzicionale. Jemi të përkushtuar për ta trajtuar me profesionalizëm, integritet e ndjeshmëri procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës, duke bërë të ditur se tashmë kemi funksonalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, që ka qasje me ndjeshmëri gjinore në metodologjinë e dokumentimit e të hulumtimit. Duke ua njohur dhimbjen dhe vuajtjet e pamatshme grave dhe vajzave, djemve dhe burrave, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, 14 prillin e kemi shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.
Ndryshe, rreth 20 mijë persona besohet të jenë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.