Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 24-vjetorin e themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) sot deklaroi se Kosova mbase është vendi më i rëndësishëm në historinë e NATO-s.
Kurti u shpreh se ky kapitull historie duhet kujtuar veçanërisht në datën historike të 4 prillit, “sikur sot, kur shënohet përvjetori i 74-të i themelimit të NATO-s”.
“Deri më 10 qershor, për 78 ditë rresht, trupat e NATO-s e bombarduan nga ajri Jugosllavinë, me qëllim që të ndalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë. Ato ditë, për shkak të thirrjes në ndihmë NATO-s, shqiptarët e Kosovës janë mbase populli i vetëm që është vrarë edhe si hakmarrje ndaj NATO-s. “Ku është NATO?” dhe “Ku e keni NATO-n?”, janë dy fraza që ushtarët dhe policët serbë ua kanë thënë në mënyrë të përsëritur shqiptarëve në Kosovë, gjatë dëbimit dhe masakrave të kryera prej tyre mbi shqiptarët në pranverën e vitit 1999. Fushata ajrore e NATO-s e pasuar nga ndërhyrja ushtarake tokësore, erdhi si një ndërhyrje e shumëkërkuar dhe e shumëpritur që bashkë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sollën lirinë Kosovës.”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se që nga atëherë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është partneri kryesor i institucioneve të Kosovës për siguri në vend.
Kurti potencoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë të trajnohen nga NATO.
Bashkë me kujtimet plot mirënjohje që Kosova ruan për historinë e angazhimit të NATO-s për tu çliruar, Kurti shtoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm brenda institucioneve të saj dhe në arenën ndërkombëtare, drejt anëtarësimit në NATO.