Kurti: Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti, sot priti në takim Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy.

Në bashkëbisedimin e ngrohtë, siç u bë e ditur në komunikatë, u kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook. Kryeministri e falënderoi Lammy-n për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.

Në këtë takim, Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që rënditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring, theksoi Kurti.

Kryeministri, siç u bë e ditur në komunikatë, veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë. Ndërsa, Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.

“Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.”, u bë e ditur në komunikatë.

Gjithashtu, Kurti theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj, që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024