Kurti i çuditur pse s’ka datë për takimin me Vuçiq, thotë se pretendimet për çnjohje nuk janë vërtetuar
Lexohet për: 5 min.
324470186_838832640746929_7450168429626346661_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i çuditur që ende s’ka datë për takimin e radhës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Megjithatë, ai ka theksuar se është e mundur arritja e njohjes reciproke me Serbisë, pasi beson në fuqinë e BE-së dhe ShBA-së për t’i bërë trysni Serbisë që të arrihet ky qëllim.

Kurti, në konferencë për media të premten, nënvizoi se asnjë prej pretendimeve për çnjohje të pavarësisë së Kosovës nuk është vërtetuar.

“Ftesë për dialog në Bruksel për takim të lartë të radhës nuk kemi ende. Të them të drejtën kjo është pak e çuditshme për mua, meqenëse me 18 gusht jemi marrë vesh që të kemi takime për çdo muaj...tash që po bëhen katër muaj nga (propozimi i BE-së për dialogun) e kemi pasur veç një takim. Unë kam pritur se do të ketë intensitet dhe dinamikë shumë më të lartë nga 18 gushti dhe 9 shtatori i vitit të kaluar”, tha ai.

Sa i përket rolit të ShBA-së në raport me propozimin e BE-së për dialogun, Kurti, tha se amerikanët janë në mbështetje të tij, derisa ritheksoi kërkesën e presidentit Biden se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Presidenti amerikan Joe Biden e ka  thënë shumë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bënë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. Ne plotësisht pajtohemi me këtë...Normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme dhe kjo duhet të ketë njohjen reciproke në qendër. Unë besoj se kjo është e mundur, pasi besoj në fuqinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bëjnë trysni shtesë mbi Beogradin. Për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç e ka thënë presidenti Biden, ashtu siç e dëshirojmë ne ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin....Roli i ShBA-së përveç për paqe dhe siguri që është i padiskutueshëm dhe pazëvendësueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm është në mbështetje të propozimit franko-gjerman apo siç quhet ndryshe propozimi i Bashkimit Evropian”, potencoi Kurti.

Duke folur për kërkesën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq për themelimin e asociacionit, Kurti tha se e vlerëson atë, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka me të.

Përkitazi me këtë, ai tha se Serbia ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013, ku përfshihet edhe themelimi i asociacionit,  me dërgimin e letrave kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në BE.

“Me këtë rast ai e ka shkelur marrëveshjen më të dashur të Brukselit, atë të 19 prillit 2013, në pikën 14 të cilës thuhet se Kosova dhe Serbia nuk do të pengojnë njëra tjetrën për integrimet evropiane. Marrëveshjen me 15 pika, ku gjashtë pikat e para janë për asociacionin është shkelur tashmë nga Beogradi. Prej momentin kur ata i kanë dërguar letra vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe iu kanë dhënë atyre mos e pranonin aplikimin e Kosovës, ata në fakt e kanë shkelur atë marrëveshje. Marrëveshjen më të dashur të tyre që është ratifikuar me 27 qershor 2013 në Kuvendin e Kosovës, por nuk është ratifikuar në Serbi. Andaj ajo ku thirren ata nuk ka bazë, pasi mbi atë marrëveshje ndodhet vet këmba e Serbisë që e ka shkelur në pikën e 14...Unë pajtohem shumë dhe e konsideroj politikan shembull, por kjo nuk do të thotë se tash kryeministri me ministrin Rashiq pajtohet për gjithçka për tërë kohën dhe plotësisht. Kjo nuk ndodh as brenda të njëjtit subjekt politik dhe lerë më me një ministër. Por unë angazhohem për të drejtat e serbëve, por gjithmonë në funksion të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në njërën anë dhe të drejtave dhe lirive të tyre”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se mbi dhjetë shtete kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës, kryeministri Kurti i quajti si përpjekje të dështuara, pasi asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar nga shërbimi i jashtëm i Kosovës.

“Përpjekje e Beogradit, kur në një situatë kur ata i kanë humbur mbështetjen dhe përkrahjen e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin e  tyre në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri më sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë nuk është vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht nga shërbimi jonë i jashtëm, ambasadori apo ambasadorët tanë. Nuk ekziston asnjë prej atyre pretendimeve që është vërtetuar”, deklaroi Kurti.

Sa i përket koeficientit në Ligjin për Paga, Kurti tha se i njëjti do të publikohet në ditët në vijim, porsa të bëhet përllogaritja e tij.

“Koeficienti nuk po mbahet i fshehur por ai duhet të përllogariten në ditët në vijim”, përfundoi ai./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025