Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjendja e komuniteteve romë, ashkalinjë e egjiptianë nuk është e mirë. Sipas tij, komunitet RAE po përballen me diskriminim, varfëri dhe mungesë të shanseve në aspektin socio-ekonomik. Në hapjen e samitit të parë të Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor, Kurti u zotua se një nga objektivat më të rëndësishme mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit për përmirësimin e të drejtave të komuniteteve.
Ai shtoi se ky samit ka për qëllim krijimin e praktikave të vendeve të ballkanit që të luftohet diskriminimi i komuniteteve.
Kurti u zotua se ekzekutivi do të vazhdojë përkushtimin për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të komuniteteve.
“Ka ende shumë sfida, ngase gjendja e komuniteteve nuk është e mirë si nga aspekti i diskriminimit, po ashtu edhe nga ai i varfërisë edhe mungesa e shanseve në aspektin socio-ekonomik. Progresin e zhvillimit të shoqërive tona mund ta masim jo me atë se sa mirë jetojnë ata që kanë më së shumti, sepse ne e dimë që ata që kanë më së shumti ja bëjnë vetes qaren kollaj e shpejt. Por, ata të cilët kanë më së paku. Andaj si kryeministër i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim përkatësie etnike, feje apo prejardhje angazhohem për të gjithë njëlloj, por më së shumti e më së pari për ata të cilët kanë më së shumti nevojë”, ka shtuar Kurti.
“Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionet që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve në vend, sidomos me fokus grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Po punojmë bashkë për të përmbushur synimet e programit të qeverisë, ku prioritet në kuadër të qëllimeve strategjike dhe objektivave operacionale të Zyrës së Kryeministrit është edhe përmirësimi dhe avancimi i gjendjes së komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë. Me këtë qëllim kemi ndarë bursa për 100 nxënës të komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë për studime në Fakultet të Edukimit... Po ashtu, kemi ndarë 500 bursa për studentët e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë në drejtime të tjera të studimeve përveç edukimit”, ”, ka përfunduar Kurti.
Drejtori e organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, Isak Skenderi deklaroi se komunitetet nuk po gëzojnë të drejtat e tyre dhe po u mungojnë mundësitë.
Kryeministri Albin Kurti tha senjë pjesë e madhe e diskriminimit ndodhë për shkak se mbetet në heshtje e nuk raportohet. Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitet romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Ai ka ftuar që të raportojnë rastet e diskriminimit në këtë platformë. /Sh.Pajaziti