Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Takimin i cili do të mbahet nesër, raportohet në media se e kanë konfirumar nga PDK, AAK dhe LDK.
Lidhur me këtë ftesë ka shkruar ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se është lajmi i mirë që kryeministri bëri një veprim të duhur duke ftuar opozitën në takim, të cilës opozita i është përgjigjur pozitivisht.
“Gjendja e rënduar në veri tejkalohet me unitet, maturi dhe bashkëpunim me aleatet strategjik”, ka shkruar ajo.
Lidhja Demokratike e Kosovës për situatën në veri ka ftuar institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.
Plani i ri i Qeverisë së Kosovës, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.