Njohës të fushës së sigurisë kanë adresuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit Kurti, i cili një ditë më parë në konferencën për siguri në Londër tha se Serbia po e kërcënon me luftë Kosovën. Sipas tyre Serbia kërcënon tash e 25 vjet dhe se koha e luftës ka përfunduar me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Ata kanë vlerësuar se kryeministri Kurti ka dështuar të përmbushë premtimet në aspektin socio-ekonomik dhe në këtë mënyrë po përpiqet që të marr vëmendjen e qytetarëve.
“Në një kohë kur po përjetojmë luftë në Evropë, nuk mund të injorojmë kërcënimin e një lufte tjetër në një rajon që e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në një konferencën për siguri në Londër, duke iu referuar kërcënimeve nga Serbia. Por, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se kërcënimet që vijnë nga Serbia bëhen për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë megjithëse, sipas tij, Kosova është e sigurt me praninë e NATO-s
Në anën tjetër, ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli vlerëson se koha e luftës ka përfunduar në vitin 99-tën dhe se tashmë është koha për zhvillim ekonomik.
“Tash s’ka luftë Kosova ruhet nga NATO-ja edhe nëse veç tenton me nisë luftë me Kosovën ajo do të luftojë me NATO-n, Serbia blenë armatim nga Rusia, ne e kemi mbrojtjen e NATO-s, do të thotë mbrojtjen më moderne pra këto deklarata janë më shumë për konsum të brendshëm”, tha Veseli.
“Udhëheqësit që e dijnë se i ruan dikush tjetër si Kosovën NATO e kanë më të lehtë të flasin për luftën dhe flasin pa problem, tash kur jemi ne prag të zgjedhjeve duke e pa që ka dështuar në shumë aspekte po mundohet që me deklarata të tilla të përfitoj ndonjë votë, por Kosovën e ruan NATO dhe nuk ka pse të ngjallë panik tek qytetarët”, tha Gecaj.
Të paktën 1000 trupa shtesë të NATO-s u vendosën në Kosovë pas trazirave të majit të viti t të kaluar në pjesën veriore të vendit dhe pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. NATO tha se është e gatshme për të parandaluar çdo përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. /RTV21/