Në prag të 25-vjetorit të Masakrës në Reçak, kryeministri Albin Kurti priti në një takim miqësor ambasadorin William Walker, të cilin e falënderoi për kontributin e pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës në Reçak në rrafshin ndërkombëtar.
Në takim u rikujtuan vitet 1998-1999, kur ambasadori Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin.
Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, kryeministri Kurti ritheksoi mirënjohjen ndaj ambasadorit Walker, për rolin korrekt, konkret dhe human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kosova nesër përkujton 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.