Kurti e priti ministrin francez: Marrëveshjet e nënshkruara forcojnë marrëdhëniet me Francën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti e priti ministrin francez: Marrëveshjet e nënshkruara forcojnë marrëdhëniet me Francën
Kurti franca1234
27/07/2026 - 18:11
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e priti në takim ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad.

Duke përmendur se sot janë nënshkruar pesë marrëveshje mes Kosovës dhe Francës, ai tha se ato thellojnë bashkëpunimin dypalësh në disa fusha kyçe.

“Vizita e sotme e Ministrit Haddad vjen në vazhdën e drekës së punës që zhvillova me Presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize dhe të angazhimit tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sot, ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës. Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë, në luftimin e krimit dhe sigurimin e llogaridhënies. Marrëveshja e kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimi i Komitetit Francë–Kosovë do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë e tyre afatgjatë. Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge zgjeron mundësitë për mësimin e saj dhe e afron më tej Kosovën me hapësirën frankofone”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai tha se me ministrin Haddad diskutuan “për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe thellimin e partneritetit dypalësh”. Tha se ia kërkoi “mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.

“E falënderova Ministrin Haddad për vizitën dhe për angazhimin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, shkroi ai.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026