Bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Rektoratin e Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina” ku u pritën dhe u takuan me Rektorin Qerim Qerimin dhe menaxhmetin e Universitetit.
Sipsa njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti dhe Nagavci u njoftuan për punën dhe sfidat e këtij institucioni dhe i njoftuan menaxhmentin e tij për punën dhe veprimet e ndërmarra deri tani me qëllim përmirësimin e arsimit të lartë. Theks iu dha Projektligjit për Arsimin e Lartë që tashmë është miratuar në Qeveri dhe avancimeve që ai parasheh në sigurimin e integritetit akademik.
Sipas menaxhmentit, viteve të fundit është shënuar rritje e përfaqësimit të grave në fushat STEM dhe se bursat e MASHTI-t për këto fusha kanë pasur efekt pozitiv në motivimin e studenteve. Përqindja e vajzave që studiojnë inxhinieri kompjuterike dhe shkenca kompjuterike në Universitetin e Prishtinës ka arritur mbi 60%.
Kryeministri Kurti e falënderoi për angazhimin, e uroi për pozitën e re dhe i dëshiroi punë të mbarë Rektorit Qerimi dhe menaxhmetit në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për Universitetin e Prishtinës i cili vazhdon të ketë rëndësi të madhe në emancipimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.