Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nesër do të mbajnë konferencë për media, në të cilën pritet të japin detaje për takimin e 14 shtatorit në Bruksel.
Konferenca do të mbahet nesër në ndërtesën e Qeverisë, duke filluar nga ora 10:30.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqësh të para, gjashtë muajsh, i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.