Pas tryezës së organizuar në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e Ditës për Personat e Zhdukur me Dhunë, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në takimin për diskutimin e draft-metodologjisë së Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi funksionalizimin e Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, si pasojë e së cilave janë 1595 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Sipas tij, metodologjia e prezantuar sot përfaqëson një qasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që çdo hap i procesit të përmbushë standardet më të larta profesionale dhe etike për të ndriçuar të vërtetën për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kurti tha se dokumentimi i krimeve të luftës shërben edhe si dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm, ndihmon në parandalimin e përsëritjes së krimeve në të ardhmen, por edhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më paqësore.
“Falë bashkëpunimit me akterët relevantë nga 17 shkurti 2024, Instituti ka arritur të grumbullojë një sasi të konsiderueshme materialesh, respektivisht bëhet fjalë për 93 metra gjatësi me dokumentacion arkivor, të cilat janë mbledhur deri më tani nga 31 dhurues të ndryshëm, prej tyre komuna të ndryshme të Kosovës, institucione e organizata lokale dhe rajonale. Gjithashtu koleksionues privatë, si fotografë lokalë, rajonalë e ndërkombëtarë të cilët kanë dorëzuar mijëra fotografi, mijëra orë audio e video-incizime që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.