Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku por edhe disa deputetët ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Homazhe në Prekaz u bënë meqë sot bëhen 24 vjet prej kur ndodhi sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.
Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.
Këtij sulmi i kishte shpëtuar Iliriana, e cila ndodhej në Akrashticë të Vushtrrisë. Ajo ishte e fejuar e më pastaj është martuar në Açarevë të Skënderajt, me Asllan Selimin, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, e vëlla i Rexhep Selimit.