Në prag të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, bashkëbisedoi me përfaqësuesit e këtij komuniteti.
Duke i falënderuar për kontributin shumë të vlefshëm në ndërtimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për gatishmërinë e përfaqësuesve të komunitetit për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit.
Si hap të rëndësishëm për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji, ai veçoi miratimin e vendimit për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Kurti potencoi nismat e tjera që do të ndikojnë në punësimin e komunitetit egjiptian, siç janë bursat për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit.
Në tryezën e përbashkët morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputeti i Kuvendit Fridon Lala, këshilltarja e kryeministrit Elizabeth Gowning, përfaqësues politikë, përfaqësues të institucioneve e të shoqërisë civile si dhe shërbyes civilë.