Kurti: Asnjëherë nuk do të konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale
Lexohet për: 2 min.
kurti
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar që asnjëherë nuk do të konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale.

Kurti ka thënë se për herë të parë që nga fillim i dialogut me Serbinë, normalizimi nuk është pjesë e premtimeve verbale por i atyre me shkrim. Ai ka thënë se procesi i ri ka sjell një marrëveshje të re për çka Kurti është shprehur i bindur që sjell hapje të re drejt rezultatit përfundimtar.

Për procesin e dialogut, Kurti ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizimin territorial, nuk e duron republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet e qeverisjes sonë progresiste. Siç kërkohet nga obligimet tona, do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh, edhe brenda Kosovës edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin jo shumicë serb, edhe me pakicat e tjera, të cilët janë këtu në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për këtë çështje. Unë kurr, e përsëris, kurr, që do të thotë asnjëherë, askund, nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale”, ka thënë Kurti.

Ndërsa për kishën ortodokse serbe, Kurti ka thënë se nuk ka asgjë të re veçse konfirmim i garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin kushtetues e ligjor të Kosovës.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i shtojë angazhimet sipas marrëveshjes dhe aneksit në kushtet për avancimin drejt integrimit të mëtejmë në BE.

Sipas kryeministri Kurti, në planin afatgjatë Kosova është më mirë me këtë marrëveshje.

Ai ka thënë se shtetet që bashkëpunojnë do të marrin një nxitje në procesin e tyre përkatës të pranimit në Bashkim Evropian.

Ndërsa ka theksuar se mosrespektimi i detyrimeve do të sjell të kundërtën.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024