Pak ditë përpara grumbullimit zyrtar të ekipit kombëtar të Shqipërisë, në kuadër të dy ndeshjeve kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për eliminatoret e Evropianit ‘Gjermani 2024’, futbollistët kuqezi kanë pasur një fundjavë të mirë me skuadrat e tyre në kampionatet evropiane.
Edhe pse një pjesë e mirë e legjionarëve e kanë mbyllur sezonin, kjo fundjavë pa në fushë disa prej lojtarëve kuqezi, të cilët luajtën ndeshjet e fundit të këtij edicioni futbollistik. Sulmuesi kuqezi Taulant Seferi e mbylli më së miri sezonin në kampionatin ukrainas. Seferit iu besua një penallti, me futbollistin shqiptar që e shndërroi në gol kundër portierit Piatov. Për Taulantin, ky ishte goli i 13 sezonal në 28 ndeshje të luajtura dhe i jep skuadrës së tij kualifikimin për në Ligën e Konferencës.
Mario Mitaj ishte një nga lojtarët më të mirë në radhët e ekipit të Lokomotivës së Moskës. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta të plota, ndërsa u vlerësua nga ‘Sofascore’ me notën 7.1. Edhe futbollistët shqiptarë që luajnë në Serinë A, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj e Nedim Bajrami patën minutat e tyre në këtë javë të fundit të kampionatit italian në radhët e skuadrave respektive.
Në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Shqipëria përballet me Moldavinë më 17 qershor dhe pastaj me Faroe Island tri ditë më vonë.