Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka ka reaguar sot pas medaljes së argjendtë të fituar nga Blin Kuka në Kupën Evropiane të xhudos për grupmoshat U18, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.
Në kuadër të kategorisë deri në 90 kilogramë, Blin Kuka u stolis me medaljen e argjendtë të kësaj gare, raporton KosovaPress.
“Blin Kuka nënkampion! Medalje e shumë pritur për meshkuj për grupmoshën e kadetëve. Kupa Evropiane u18 Berlin. Gjenerata e re po ngjitet në kulmin e sportit evropian e botëror! Kategoria 90 kg. Tri fitore me Ippon e në finale pësoj me dënime për pasivitet! Xhudo e Kosovës dhe ekipit tonë shquhet për kërkim te hudhjeve e xhudo atraktive. Kjo na bën të veçantë në çdo aspekt”, tha Kuka.
“Blini sivjet fitoj titullin Ballkanik dhe ishte garuesi më i mirë në EYOF (Olimpiade Evropiane e të rinjve ) nga të gjithë sportistët e vendit tonë ku ishte i pesti dhe tash kjo medalje konfirmon rritjen e tij si garues me nivel. Majlinda në krye të detyres edhe sot! Xhudo sporti nr 1 i të gjitha trojeve Shqiptare po vazhdon tutje!”, tha Kuka.