Kuçi: Masat për ruajtjen e objekteve ortodokse nga Policia e Kosovës propaganda serbe i paraqet si "persekutim"
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kuçi: Masat për ruajtjen e objekteve ortodokse nga Policia e Kosovës propaganda serbe i paraqet si "persekutim"
Gurakuc Kuci 1
27/07/2026 - 16:52
Linku u kopjua

Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka kundërshtuar pretendimet e zyrtarëve dhe mediave serbe për persekutim të serbëve ortodoksë në Kosovë, duke i cilësuar ato pjesë të një operacioni propagandistik që synon të paraqesë një realitet të shtrembëruar.

Sipas Kuçit, Kosova ka ngritur një sistem të veçantë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, me fokus të veçantë në objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

Ai theksoi se rreth 170 objekte ortodokse mbrohen vazhdimisht nga Policia e Kosovës përmes patrullimeve të rregullta, mbikëqyrjes së objekteve dhe varrezave, si dhe shtimit të masave të sigurisë në rast të kërcënimeve potenciale.

Po ashtu, sipas tij, 24 kisha dhe manastire ruhen me prani fizike të policisë 24 orë në ditë, ndërsa mbi 40 objekte të Kishës Ortodokse Serbe janë të përfshira në Zona të Veçanta të Mbrojtura, ku kufizohen ndërtimet dhe aktivitetet që mund të cenojnë karakterin historik dhe funksionimin e tyre.

"Përjashtim bën vetëm Manastiri i Deçanit, ku KFOR-i është reaguesi i parë", shkroi Kuçi.

Ai rikujtoi gjithashtu se që nga marsi i vitit 2013 funksionon Njësia për Sigurimin e Objekteve dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare, e cila është krijuar posaçërisht për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, me theks të veçantë në objektet ortodokse.

Ai ka kujtuar se çdo dëmtim i kishave, përdhosje e varrezave, shkrim kërcënues apo sulm ndaj objekteve fetare trajtohet si vepër penale dhe, kur ka motiv etnik ose fetar, edhe si krim i urrejtjes.

Kuçi iu referua edhe liturgjisë së mbajtur më 26 korrik në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë pranë Prizrenit, duke thënë se Policia e Kosovës ndërmori masa për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit pa incidente.

Megjithatë, sipas tij, propaganda serbe i paraqiti këto masa sigurie si presion ndaj besimtarëve ortodoksë.

Lexo edhe:

"Kjo qasje është një operacion informativ dhe psikologjik, ku metoda e përdorur është transformimi i realitetit. Merren pamje reale, hiqen nga konteksti dhe u ndryshohet kuptimi. Kontrolli i sigurisë paraqitet si presion, prania policore si rrethim, ndërsa masat mbrojtëse si persekutim", tha Kuçi.

Ai e cilësoi këtë si një "inversion semantik", përmes të cilit, sipas tij, synohet delegjitimimi i institucioneve të Kosovës dhe ndikimi te opinioni ndërkombëtar.

Përballë luftës hibride dhe fushatave dezinformuese, Kuci tha se masat e sigurisë duhet të shoqërohen edhe me komunikim strategjik.

"Në luftën hibride, boshllëku informativ nuk mbetet bosh, por plotësohet nga kundërshtari, i cili zakonisht e ka të përgatitur paraprakisht skenarin e veprimit", përfundoi ai.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026