Genghis Khan bashkoi mongolët dhe krijoi një perandori të madhe që shtrihej nga Oqeani Paqësor në Ukrainë deri në kohën e vdekjes së tij në vitin 1227, dhe pasardhësit e tij do të vazhdonin të pushtonin edhe më shumë territore.
Por, ku është varrosur prijësi i tmerrshëm mongol? A ka ai një varr monumental si piramidat e ndërtuara për faraonët e lashtë egjiptianë apo një mauzole me luftëtarë terakote, sikurse ai i ndërtuar për perandorin e parë të Kinës Qin?
Varri, kudo që të jetë, "është shumë i rëndësishëm për popullin e Mongolisë me ngjyrime pothuajse fetare," tha për Live Science në një email William Honeychurch, një profesor i asociuar i antropologjisë pranë Universitetit Yale. Ai nuk pranoi të spekulojë se ku mund të gjendet varri.
Një mundësi është që Genghis Khan u varros në provincën lindore Khentii të Mongolisë, ku ai ishte lindur.
Burimet bashkëkohore janë kryesisht të heshtura se ku ndodhet varri i Genghis Khan ose si dukej.
"Nuk ekziston asnjë dokument historik apo arkeologjik që përshkruan pamjen fizike të këtij varri," shkroi një ekip studiuesish në një studim të botuar në vitin 2014 në revistën PLOS One.
"Historia sekrete e mongolëve", një regjistrim mongol i shkruar në mënyrë anonime që daton pak kohë pas vdekjes së Genghis Khan, nuk përmend varrin e tij. Thuhet vetëm se në vitin 1227, ai "u ngjit në parajsë".
Megjithatë, teksti thotë se Genghis Khan ndjente fort për Burkhan Khaldun, një mal i shenjtë në provincën Khentii. Teksti thotë se në një moment të jetës së tij të hershme, Genghis përdori topografinë e malit për t'u shpëtuar armiqve që po e ndiqnin.
Afiniteti që Genghis Khan kishte për këtë mal ka bërë që të ngrihen pyetje nëse ai ishte varrosur atje, por deri më tani, asnjë varr nuk është gjetur.
Kur vdiq rreth moshës 67-vjeç, Genghis Khan dhe ushtria e tij po bënin fushatë kundër grupit Tanguts në atë që tani është Kina veriperëndimore, dhe kjo mund ta ketë bërë të vështirë kthimin e trupit të tij në Mongoli, shkroi Frank McLynn, një historian, në librin e tij "Genghis Khan: Njeriu që pushtoi botën"-2015.
Është e mundur që eshtrat dhe varri i Genghis Khan të ndodhen në rajonin Ordos të Kinës veriperëndimore, shkroi McLynn.
Eksploruesi venedikas Marco Polo, (1254-1324) kaloi rreth 17 vjet në Kinë. Ai në librin "Udhëtimet e Marco Polo" kishte thënë se 20.000 njerëz që dinin për vendndodhjen e varrit u vranë në një përpjekje për të mbajtur të fshehtë vendndodhjen. Tregimet e tij u regjistruan në libër nga një shkrimtar i quajtur Rusticello da Pisa dhe libri u botua rreth vitit 1300.