Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka veçuar tri zhvillimet e afërta, drejtimin e Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria javën e ardhshme, çështjen “Beleri”, për të vijuar me takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel që pritet të ndodhë të enjten.
Drejtimi i Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria, Rama e cilëson moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kurse, zhvillimi i tretë për Ramën është takimi në Bruksel i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.
TRE KONSIDERATA NË NJË DITË
1. Javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, bash në momentin kur e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York. Ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, i cili thotë shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri. Ka shumë arsye për të qenë krenarë me Shqipërinë sot, po shumica e tyre janë shumë më tepër motive për të kuptuar se sa shumë mund të bëjë ende Shqipëria dhe për të ecur vendosmërisht drejt majës së re ku duhet me se s’bën të ngjitemi si vend e si popull, e në asnjë mënyrë shkaqe për vetëkënaqësi. Por njëri ndër motivet që duhet të na bëjë krenarë e të na frymëzojë në mendimin e veprimin tonë kombëtar dhe politik të kohëve të sotme, është fakti se megjithëse në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë të shtrirë në disa shtete, në shifra të konsiderueshme duhet thënë, Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t'u lemë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje.
Nuk ka dyshim se disa rretherrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë. Jo se kjo na bën të dyshojmë në këtë qasje tonën, e cila është një qasje sa pragmatike aq edhe thelbësisht vlerore, për një bashkësi europiane si e jona në Shqipëri, po ja që në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush.
2. Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europianizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithësesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh.
3. Sot, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aletatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht.
Këtë qershor, gjatë kulmit të tensioneve në komunat veriore të Kosovës, me keqardhje, ne anuluam njëanshmërisht mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me Kosovën, e cila ishte e planifikuar prej kohësh.
E së dyti, sepse ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh.
Më pas, i vetëdijshëm se ishte një lëvizje e pazakontë, iu paraqita aleatëve tanë strategjikë kontributin e Shqipërisë në diskutimet e vazhdueshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sepse jam plotësisht në një mendje me ta për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë vejevijnë, por shtetet serioze nuk vejevijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë.
Shqipëria i ka shtrirë Serbisë dorën e miqësisë. Në mënyrë ironike, ka ndodhur në ndonjë rast të jemi i vetmi vend në rajon që ka folur hapur kundër sanksioneve ndaj Serbisë dhe e kemi shpjeguar qartë pse jemi të bindur në këtë qëndrim. Megjithatë, dhe kjo duhet theksuar, një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.
Për fat të keq, teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare.
Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës.