Kiana Kryeziu, Alba Pupovci dhe Drin Kokaj, janë tre skitaristët që do të marrin pjesë në Festivalin Olimpik Dimëror për të rinj (EYOF) Vuokatti 2022. Kështu u bë e ditur në një konferencë për medie që u mbajt të premten nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Teksa u shpreh i kënaqur me të arriturat e deritanishme të ekipit të skitarëve, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi pret që në këto gara garuesit të japin maksimumin dhe të kenë një paraqitje dinjitoze.
Edhe kryetari i Federatë Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, pret nga ekipi kosovar të ketë rezultate të mira në këtë garë.
“Sa për pritshmëritë atje, unë mendoj që njëkohësisht, qysh e patëm edhe fatin që të shkon dhe të shënon një olimpiadë femra e parë në histori të Kosovës, atëherë mendoj që edhe atje do të kemi një pritshmëri të mirë sa i përket rezultateve dhe vetëm ju uroj shëndet, fat dhe rrugë të mbarë”, tha Kelmendi.
"Besoj që do të kemi një prezantim të mirë dhe do ta kem parasysh se atje janë po ashtu të gjithë garuesit më të mirë të Evropës në moshat e juniorëve. Presim një prezantim të mirë prej garuesve", tha Pupovci.
Mediave iu drejtua edhe skitarja Kiana Kryeziu, e cila kishte një kërkesë të veçantë për të gjitha femrat që merren me sport në Kosovë.
EYOF do të fillojë garat më datën 20 mars dhe do të përfundojë më 25 mars.