Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që të shpërbëhet Kuvendi i kësaj komune dhe sipas tij mandati t’i kthehet qytetarëve me zgjedhje të reja.
Ai ka kërkuar nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë për “mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë”.
Të shpërbëhet Kuvendi i Drenasit, t'i kthehet mandati qytetarit me zgjedhje të reja
Qytetarë të dashur, sot kam kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë.
Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit.
Në shkresë, drejtuar edhe institucioneve relevante, kam evidentuar se Kuvendi i Komunës së Drenasit, është pa Kryesues të Kuvendit, pasi që 16 asamblistë, prej tyre 6 asamblistë të DD, 5 ish asamblistë të PDK, 4 të Vv dhe një asamblist i Green, më 6.6.2024, kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari.
Nga ajo datë, iniciuesit e shkarkimit të Kryesuesit, nuk kanë tentuar që të zgjedhin kryesuesin e ri. Kuvendi i Komunës së Drenasit është jo funksionues dhe rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të saj.
Kanë kaluar 71 ditë, pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, ndërsa kanë kaluar 43 ditë nga kthimi i ligjshmërisë së vendimit nga MAPL për shkarkim të Kryesuesit të Kuvendit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Kuvendi për zgjedhje të Kryesuesit.
Pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit, pres të marrë fund, njëherësh, qytetarët të zgjedhin përbërje tjetër kuvendore që angazhohen për zhvillimin e komunës së Drenasit dhe përfaqësojnë realisht interesin qytetar.