Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kryetarët e komunave të qeverisura nga kjo parti paraqitën sukseset e tyre dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me nivelin qendror.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me nivelin qendror ka qenë jetik për realizimin e projekteve të rëndësishme, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm me nivelin qendror ka qenë jetik për realizimin e projekteve shumë të rëndësishme në komunat tona, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve… Mund të them lirisht që asnjëherë Llapi nuk ka marrë mbështetje më të lartë dhe më të fortë nga niveli qendror duke dëshmuar rëndësinë që qeveria po i kushton hapësirës së zhvillimit tonë… Përmes këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm me nivelin qendror, kemi realizuar dhe do të realizojmë projekte kyçe duke përfshirë ndërtimin e shkollave të reja, çerdheve të reja, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, investimet në energjinë efiçiente dhe fusha të tjera”, tha Bulliqi.
Edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se komunat e udhëhequra nga LVV-ja kanë qenë shembull si punohet ndershëm. Aliu tha se duke parë sukseset e arritura nga këto komuna, qytetarët po i presin zgjedhjet e ardhmes lokale për t’i votuar prapë ata dhe për të zgjeruar qeverisjen edhe në komuna tjera.