Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka mbështetur kërkesën e opozitës për të vazhduar edhe për tre muaj punën Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Kjo nga opozita u konsiderua si një prej ditëve më të këqija të jetës parlamentare në Kosovë. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, akuzoi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje se ka vendosur një precedent të keq në Kuvend, duke dëmtuar njërën prej shtyllave kryesore të demokracisë në Kosovë.
Kritika shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha se shumica ka tendencë të bllokojë punën e opozitës. Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar akuzat e opozitës, duke thënë se ato janë të pasinqerta në diskutimin politik me mazhorancën. Krahas kësaj, Kryesia ka vendosur që Kuvendi i Kosovës të mbajë dy seanca plenare javën e ardhshme. /E.Zeqiri/