Kryeqytetasit përmes protestës kërkojnë zbritje të çmimit të qirave të lokaleve
Lexohet për: 3 min.
328854122_719198696526567_3897778278068743588_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ndërmarrja Publike Banesore, qiramarrësit, punëtorët e lokaleve dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar para objektit të Komunës në kryeqytet për shkak të rritjes së çmimit të qirasë për lokalet në Prishtinë.

Ata po konsiderojnë se ngritja e çmimeve është e pa përballueshme për ta vazhduar punën, derisa nuk përjashtojnë mundësinë që çelësat e lokaleve t’i dorëzojnë në komunë.

Organizatori i kësaj proteste, Genc Durmishi i cili ka edhe lokale zejtare tha se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave. Sipas tij, çmimet janë rritur nga 80 deri në 100 për qind.

“Kemi ardhur në protestë para komunë për shtrenjtimin e qirasë, nuk po mundemi me ja dalë më këtë qira që është shumë e shtrenjtë dhe presim nga kryetari me dalë më një njoftim se çfarë do të bëjë me ne... Pasi qiratë janë shtrenjtuar për rreth 80 për qind, e diku 100 për qind... Protesta do të zgjat derisa të realizohen kërkesat tona dhe të kthehet çmimi siç ka qenë. Kanë thënë se do ju përkrahim në shumë mënyra por kanë qenë të kota dhe kanë qenë vetëm fjalë”, tha Durshmi.

Edhe Igballe Makolli, zejtare e cila ka dyqanin për rreth 20 vite e konsideron të papërballueshme rritjen e çmimit të qirasë.

“Në lagjen e muhaxherëve, ku punojmë tani, nëntë muaj nuk kemi punuar fare, kemi filluar që gjashtë muaj dhe qiraja për zejtarë është e shtrenjtë, kemi edhe sigurimin e qirasë, të gjitha i kemi në pronarët t’i paguajmë dhe me të vërtetë është shumë”, tha Makolli.

Ndërsa sipas Ragip Tërhollit asnjë premtim që kanë marrë nga komuna nuk po realizohet. Ai kërkoi nga të gjithë qiramarrësit të mbyllin lokalet dhe mos të vazhdojnë punën me këtë çmim.

“Kanë premtuar që kur të bëhet renovimi i lokaleve, 60 ditë pune, neve na ka zgjat 10 muaj që kemi mbet pa punë, pa kompensim dhe asgjë tjetër. Tash është rritur çmimi  qirasë 100 për qind, pra po shkon metri katror rreth 13 euro, kjo është absurde dhe nuk mundemi me përballu këtë. Shpresoj të janë të pajtimit të gjithë që assesi mos t’i hapim lokalet dhe t’i dërgojmë çelësat ndërmarrjeve publike ose komunës, sepse këto qira janë të pa përballueshme”, tha ai.  

Disa nga përfaqësueset pas fjalimeve janë pritur në komunë nga nënkryetari Alban Zogaj për të biseduar në lidhje me kërkesat e tyre.

Së fundmi, komuna e Prishtinës ka ngritur edhe çmimin e biletave njëdrejtimëshe të trafikut urban.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024