Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviq do të takohen të martën në Bruksel.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka përmendur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si urgjencën më të madhe.Javën e kaluar në Bruksel kanë dështuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për një takim trepalësh me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti ka kërkuar nga kryeqendra evropiane që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit të Serbisë për takim trepalësh.
“Kam kërkuar garanci, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e cila sjell siguri ligjore dhe i anulon shkeljet e më hershme. Garancia e dytë është tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq. Garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiq dhe i bandës së tij terroriste tek autoritetet e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Borrell tha se në kuadër të dialogut është bërë shumë gjatë viteve të fundit dhe shtoi se procesi mund të përparojë vetëm aq sa të jenë të gatshme të dyja palët.
“Pritjet e BE-së dhe vendeve anëtare nuk do të ndryshojnë. Detyrimet Kosovë-Serbi nuk do të zhduken”, tha Borrell.