Të martën në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb Petar Petkoviq. Pas tre muajsh ngërç, në takimin e nesërm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i pari për këtë vit, pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat. Megjithatë, ujdia për të njëjtat shihet si vështirë e arritshme në momentumin aktual ndërkombëtar dhe në prag të zgjedhjeve në Serbi.
Njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se rikthimi në tavolinën e bisedimeve të kryenegociatorëve është aspekt pozitiv për avancimin e dialogut.
Ai thotë se nesër mund të diskutohen tema që kanë mbetur nga raundet e kaluara, sikur ajo për të pagjeturit, dëmet ekonomike dhe marrëveshja për targa.
“Në këtë raund të bisedimeve mund të flitet për disa tema që kanë mbetur nga herët e kaluara, siç është për personat e pagjetur, dëmet ekonomike, apo edhe për marrëveshjen e targave. Me siguri që Serbia do të vë theksin edhe tek marrëveshja e Asociacionit, pasi është edhe taktikë e tyre që në çdo raund të negociatave ta bëjë një gjë të tillë... Pasi kjo marrëveshje (për targat) pak a shumë është implementuar në mënyrë të mirë dhe ka pasur një pajtim të dy palëve, edhe kjo mund të jetë që të vazhdojë kjo marrëveshje ose të kapitalizohet si përfundimtare. Të gjendet një zgjidhje pak më afatgjatë për të, pasi bllokimi dhe situata e tensionuar nuk i konvenoi as Kosovës dhe as palës serbe”, shton ai.
Lidhur me takimin e nesërm, KosovaPress ka pyetur sot shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin dhe shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Tahiri kritikoi Qeverinë Kurti për mos transparencë në raport me dialogun dhe tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet së pari duhet të vijë në Kuvend.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për dialogun me Serbinë, pala kosovare duhet të diskutojë vetëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
“Është tepër me rëndësi që në këtë fazë të qartësohen gjërat, strategjia dhe qasja që e ka Kosova karshi këtij dialogu. Për neve është me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër”, deklaroi ai.