Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi pritje në Qeveri me rastin e 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Krahas urimeve për komunitetin rom në Kosovë, kryeministri Kurti tha se 8 Prilli nuk shënohet vetëm si një datë, por si reflektim mbi thelbin e shoqërisë.
Fjalimi i kryeministrit Kurti:
Është nder e kënaqësi që jemi sot bashkë, dhe më lejoni në fillim që të gjithëve t’ua uroj Ditën e Romëve. Gëzuar!Urrejtja nuk ka vend mes nesh. Jo pse nuk njohim botën, por sepse e kemi përjetuar më thellë se shumëkush tjetër. Në gjuhën rome, me sa jam në dijeni unë fjala ‘urrejtje’ nuk ekziston, jo për mungesë fjalori, por për dëshmi të një kulture që ka zgjedhur të jetojë përtej saj.
Të nderuar të pranishëm,
Dekada është edhe e romëve, sepse dekada është e arsimit. Nga mungesa në mundësi, sot romët e Kosovës kanë tre kandidatë për doktoratë. Veçanërisht duhet të përkujtojmë gratë dhe vajzat rome, që shpesh janë bartëset më të forta të qëndrueshmërisë. Rreth 70% e të diplomuarve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë gra, dëshmi kjo e fuqisë, shpresës dhe vazhdimësisë së këtij komuniteti.
Nga Teatri “Nexhip Menekshe” te poezia e Kujtim Paçakut, nga Terzimahalla, pishtare e mbrojtjes së kulturës rome, deri tek albanologu i parë Nysret Seharoj; çdo zë, çdo penë, çdo akt krijues është një dritë që largon errësirën e harrimit. Kultura dhe dijet nuk janë thjesht thesar i së kaluarës, por themel i lirisë dhe dinjitetit.
Sot kemi aq shumë libra në gjuhën rome, sa i gjithë rajoni i Ballkanit na sheh me admirim. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, kemi subvencionuar shtimin e titujve në minibibliotekën rome, duke e kthyer librin në një urë të gjallë mes brezave. Sepse një gjuhë që shkruhet është një identitet i cili nuk humbet. Trashëgimia shpirtërore nuk mbijeton vetvetiu; ajo ruhet, kultivohet dhe forcohet përmes aktiviteteve kulturore, të cilat sot e kanë mbështetjen tonë të vazhdueshme.
Zyrtarizimi i gjuhës rome në Prizren e në Graçanicë dhe mësimi fakultativ në shkolla nuk janë vetëm akte burokratike; ato janë dëshmi e drejtësisë kulturore dhe të respektit për dinjitetin. E respekti për dinjitetin vjen pikërisht edhe nga respekti për identitetin. Nëpërmjet këtyre, secili zë fiton peshë, arsimi dhe kultura bashkohen në ndërtimin e një shoqërie ku diversiteti nuk është vetëm pasuri, por mbartë harmoni dhe forcë shpirtërore të komunitetit.
Le të ndërtojmë një shoqëri ku çdo zë ka vend, çdo kulturë nderohet dhe çdo ëndërr gjen lirinë e saj.