Vjeshta duke se do të shqetësojë të gjithë ata që në qeverisjen e kaluar kanë bërë shkelje ose keqmenaxhim në punën e tyre në drejtimin e institucioneve, pasi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hritijan Mickoski paralajmëron se po mblidhen dëshmi për t’i dorëzuar në organet hetuese.
Mickoski nuk zbardh nga cilat institucionet do të fillohet kur të publikohen keqpërdorimet e kaluara por thotë se një shembull i till do të jetë Agjencia për kadastër të patundshmërive, të cilën e vizitoi sot gjatë ditës.
Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së patundshmërive Ivan Zhivkovski, tha se 40 ditë më parë kur ka marrë postin, ka gjetur rreth 5500 lëndë në sirtar për të cilat nuk është vepruar. Numri i tyre tani, tha se është ulur në gjysmë.
Në shkurt ishin rritur edhe tarifat për shërbimet e kadastrës dhe për momentin nëse blen një banesë dhe garazh do të duhet të paguhet katër herë nga 1250 denarë.
“Përse ka pasur grumbullim të kaq shumë lëndëve për të cilat nuk është vepruar ose janë penguar, është për arsye të punës jo të mirë të qeverisjes së kaluar. Nuk kemi analizë të detajuar se sa para janë arkëtuar në ndërkohë nga qytetarët që ndoshta nuk është dashur të arkëtohen. Megjithatë kemi një projektim se tani në nivel vjetor rreth 700 mijë euro deri 1 milion euro do të mbesin te qytetarët”, u shpreh Ivan Zhivkovski, Drejtor i Agjencisë për kadastër të patundshmërive.
Sipas kryeministrit, raste të këtilla janë dëshmi për krim të funksionarëve të kaluar. Për këto dhe raste të ngjashme nëpër institucione të tjera, Mickoski premtoi se dëshmitë do të dorëzohen në prokurori. / Alsat.mk