Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se siguria dhe stabiliteti në rajon janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër në dekadën e fundit. Ai gjatë qëndrimit në Kosovë të martën, tha se Shqipëria si anëtare e NATO-s po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, derisa, duke iu adresuar Serbisë, theksoi se në shekullin 21 nuk i çohen ushtri fqinjit tek kufiri.
Shefi i diplomacisë shqiptare pasi u prit në takim nga homologia e saj nga Kosova, Donika Gërvalla, nënvizoi nevojën që autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit të dalin para drejtësisë.
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që pa vonesë të dal me një qëndrim për aktin e agresionit ndaj Kosovës.
Duke folur për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Gërvalla tha se asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje të jap një vlerësim real se kur konsiderohen kushtet e përmbushura për heqjen e masave.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Shqipërisë, tha se pranimi pa asnjë kusht i propozimit të BE-së është mënyra e vetme sesi e shohin angazhimin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar.
Ministri shqiptar gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe presidenten Vjosa Osmani. Hasani nesër do të qëndrojë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.