Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Zagrebi ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.
Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.
Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.
Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.
Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.
Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.
Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian./REL