Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka mirëpritur vendimin e sotëm të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare,” ka shkruar Plenkoviq në rrjetin social X.
Zëvendësministri i Jashtëm Kreshnik Ahmeti ka bërë të ditur se sot është miratuar opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit, ka theksuar Ahmeti.Suksesi i sotëm hap rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.