Kroacia përkujton viktimat e masakrës në Vukovar
Lexohet për: 2 min.
Vukovar perkujtimi
1 vit më parë
Linku u kopjua

Viktimat e masakrës në Vukovar të vitit 1991 u përkujtuan me ceremoni në 32-vjetorin e masakrës të shtunën.

Vukovari, afër Serbisë në lumin Danub, ishte skena e luftimeve intensive pas shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia.

Ushtarët jugosllavë dhe trupat paraushtarake serbe e mbajtën Vukovarin nën rrethim për 87 ditë derisa qyteti u pushtua nga forcat serbe më 18 nëntor 1991, me deri në 11.000 bomba të hedhura në një ditë të vetme.

Mijëra qytetarë, si dhe zyrtarë të shtetit kroat, morën pjesë në shërbimin përkujtimor në Vukovar.

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq dhe kryeministri Andrej Plenkoviq ndoqën gjithashtu ceremoninë përpara një spitali, që simbolizonte masakrën e Vukovarit, ku u trajtuan të plagosurit.

Kryeministri Plenkoviq tha se Vukovari është simbol i unitetit dhe solidaritetit.

​Kroacia ndalon biskotat e prodhuara në Serbi, kanë përbërje kancerogjene - KosovaPress

Kryetari i Parlamentit Gordan Jandrokoviq tha se Vukovari është një simbol i lirisë së Kroacisë.

Të pranishmit iu bashkuan një shëtitjeje përkujtimore nga spitali në një varrezë përkujtimore ku u varrosën viktimat e masakrës. Të afërmit e viktimave dhe qytetarë të tjerë vendosën lule mbi varret.

Vlerësohet se mbi 3.000 njerëz - kryesisht kroatë - u vranë dhe mijëra të tjerë u mbajtën në kampe. Qyteti praktikisht u rrafshua gjatë rrethimit.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dënoi ish-zyrtarët e ushtrisë jugosllave Mile Mërkshiq dhe Veselin Slivançanin përkatësisht me 10 vjet dhe 20 vjet burg për masakrën e civilëve në qytet.

Shqipëria dhe Kroacia me dy marrëveshje bashkëpunimi - KosovaPress

Pas luftës, Vukovari u vendos nën administrimin e OKB-së dhe u riintegrua në Kroaci në vitin 1998.

Pushtimi i forcave serbe, i cili filloi pas rrethimit, zgjati deri më 15 janar 1998, ndërsa kundër të plagosurve dhe personelit në spitalin e Vukovarit u kryen krime të ndryshme lufte.

Sipas spitalit të Vukovarit, të paktën 1.624 njerëz u vranë, rreth 7.000 u dërguan në kampe përqendrimi dhe rreth 22.000 jo-serbë, kryesisht kroatë, u dëbuan nga qyteti.

Trupat e rreth 500 njerëzve, të vrarë në Vukovar, ende nuk janë gjetur. /AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024