Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, mendon se tetë minuta kohë shtesë në ndeshjen kundër Italisë ishte "marrëzi" dhe fajëson pjesërisht UEFA-n dhe FIFA-n: "Ne jemi një vend i vogël..."
Kroacia u eliminua nga faza e grupeve të Kampionatit Evropian Euro 2024 pas barazimit 1:1 kundër Italisë mbrëmë, raporton KosovaPress.
Mbrojtësi Borna Sosa tha se lojtarët nuk e kuptonin pse kishte tetë minuta kohë shtesë, ndërsa trajneri Dalic ishte edhe më i ashpër në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Trajneri kroat u pyet nëse lojtarët e tij ishin tepër nervozë në pjesën e dytë dhe në fund të lojës dhe nëse kjo kishte një ndikim në barazimin dramatik të Zaccagni.
“Nuk mund të kesh tetë minuta kohë shtesë pas asaj ndeshje. Tetë minuta, është e pakuptimtë. Nuk kishte shumë pushime në lojë ose shumë faulle për ta justifikuar këtë. Nuk dua të futem shumë në të. Nuk dua të bëj bujë për atë që po ndodh. Mendoj se Kroacia duhet të respektohet dhe të njihet. Dua të falënderoj djemtë për angazhimin dhe përpjekjet e tyre dhe bazën e tifozëve që dëshmuan se çfarë do të thotë të mbështesësh vendin e tyre. Ne jemi shumë krenarë për ta. Kështu rrodhën gjërat. Nuk mund të pësosh një gol të tillë në minutën e 98-të. Kështu është futbolli. Jeta Vazhdon", shtoi ai.
Italia do të takohet me Zvicrën në raundin e 16-të të shtunën, më 29 qershor, në orën 18:00 në “Olympiastadion” të Berlinit.