“Krizë” te kombëtarja, FFK përjashton tre futbollistë
Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar të Kosovës, pasi “kanë thyer rregulloren e ekipit kombëtar.
Kështu ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi zyrtar, përcjellë KosovaPress.
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listën e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kosova humbi me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, ndërsa nesër përballet me Qipron në kuadër të Ligës së Kombeve.