Çmimet e ushqimeve të shpejta vazhdojnë të mbeten shumë të larta, njësoj sikur në kohën kur kriza ishte në kulmin e saj. Qytetarët paguajnë së paku 140 denarë për një hamburger. Ata thonë se ky çmim është shumë i lartë dhe duke pasur parasysh uljen e çmimit të vajit dhe produkteve të tjera bazë, do të duhej që të ketë edhe ulje të çmimit të këtij lloji të ushqimit.
Normal më shtrenjtë se si ka qenë, mendoj se duhet me gjet një zgjidhje dhe me i ul, edhe pse nuk ka ulje,” tha një qytetar.
“Duhet edhe pak të ulen çmimet, ndonjë çmim ta ulin edhe pak… Edhe nuk është e shëndetshme edhe është e shtrenjtë, mendimi im është se secili ka shijen e vet….. 15 euro, për dy persona,” tha një qytetar.
Ushqimet e shpejta nuk kanë vlera ushqyese, kanë yndyrë e karbohidrate, ndërsa konsiderohen si ushqime jo të shëndetshme. Por edhe përkundër kësaj mbeten të preferuara për të rinjtë. Personat më në moshë u shmangen atyre, duke preferuar më shumë ushqimet e shëndetshme.
Njëri nga pronarët Fast-Fudeve thotë se pas fillimit të krizës, çmimet janë rritur për rreth 40 për qind dhe për momentin nuk mendojnë uljen.
“Njëqind e dyzet denarë, para krizës ka qenë 100 denarë…. Tash për tash njëherë jo nuk mundemi, se nuk kemi llogari, nuk kemi shumë punë…. Për këto të rinjtë tash që janë këtu, janë pak shtrenjtë çmimet, por kriza e bën të vetën, ” tha një shitës.